← Shfleto

Zymer Neziri

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi në nëntor të vitit 1946 në Zahaq të Pejës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Pejë ku e kreu edhe të mesmen (Gjimnazin). Mandej e dha edhe ndryshimin për Normalen. SHLP e kreu në Prizren. Shkallën e dytë të Fakultetit Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë më 1971. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në dhjetor të vitit 1979 me temën: ”FIGURAT E KRAHASIMIT NË KËNGËT TONA LIRIKE TË DASHURISË”. Mr. Zymer Neziri doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në korrik të vitit 1995 me temën:” POEZIA LEGJENDARE E RUGOVËS”. Dr. Zymer Neziri punoi si arsimtar në komunën e Klinës, Lipjanit, Ferizajt, Prizrenit dhe të Prishtinës. Mandej në Bankën e Bashkuar të Kosovës në Prishtinë si përkthyes dhe lektor. Ka qenë disa herë i larguar nga puna nga pushteti serb për bindjen e tij politike. Ka qenë i ndjekur, i izoluar dhe i burgosur politik. Punimet e tij kanë qenë të censuruara. Dr. Zymer Neziri ka të botuara më tepër se 300 zëra bibliografike, artikuj e punime dhe në dorëshkrim i ka 10 vepra me këngë kreshnike, 5 vepra studimi, 14 vëllime këngësh epiko-legjendare, ka marrë pjesë në 60 tubime shkencore me kumtesa (simpoziume kombëtare) në vend dhe jashtë. Qëndrime studimi pati në ASHA në Shqipëri, Instituti i Historisë, Universiteti i Harwardit në Amerikë, AKSG të Austrisë në Vjenë. Ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Tetovës, në Varshavë, Turanj, Poznanj, në Universitetin e Kozencës. Në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës ligjëron lëndën Eposi i kreshnikëve.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.