Zeqir Buliqi
Doktor i veterinës
Lindi më 1905 në Shkodër. Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Fakultetin e Veterinës në Akademinë e Tuluzit (Francë) më 1930. Në këtë Universitet, Zeqir Buliqi u shpall studenti më i mirë i vitit. I kreu shpejt studimet dhe u doktorua në qershor të vitit 1933 me sukses të shkëlqyeshëm. Më 1934 Dr. Zeqiri u kthye në atdhe dhe u emërua mësimdhënës i Zooteknikës në Shkollën Teknike Amerikane, mandej emërohet mjek veteriner në prefekturën e Sarandës. Më 1941 emërohet në Laboratoriumin Bakteriologjik të veterines në Tiranë më vonë edhe zëvendësdrejtor i këtij Institucioni. Ka qenë drejtor i Blegtorisë në Ministrinë e ekonomisë Kombëtare, kurse më 1958 emërohet pedagog i lëndës së epizootologjisë në Institutin e Lartë të Bujqësisë të Tiranës. Dr. Zeqir Buliqi ka të publikuar një dispencë dhe 12 punime shkencore si dhe shumë referate e kumtesa shkencore. Ka qenë ekspert i bujqësisë në shkallë vendi. Vdiq në Tiranë më 1960.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.