Zekeria Cana
Doktor i shkencave të historisë
Lindi në mars të vitit 1934 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Normalen) i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë e kreu në Beograd më 1960. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet ku edhe magjistroi në mars të vitit 1975 me temën: ”LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VILAJETIN E KOSOVËS 1909-1912”(sr). Mr. Zekeria Cana doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në qershor të vitit 1984 me temën: ”SOCIALDEMOKRACIA SERBE DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE 1903-1914”. Dr. Zekeria Cana së pari punoi si mësues në rrethinën e Gjakovës, si gazetar i “Rilindjes” nga Gjakova, mandej prof. i historisë në Normalen e Prishtinës, në Shkollën Ekonomike të Gjakovës, në Arkivin Krahinor-Shtetëror të Kosovës, e më 1967 me rithemelimin e Institutit Albanologjik në Prishtinë arritur deri te Këshilltar i lartë shkencor në këtë institut, ku punoi deri në pension. Dr. Z. Cana ka më tepër se 200 punime shkencore-profesionale. Ka të botuara 11 libra, ka përkthyer tekste të historisë nga serbishtja dhe një nga rusishtja në shqipe.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.