Zef Mirdita
Doktor i shkencave të historisë
Lindi më 1936 në Prizren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin Klasik) në Pazin. Në Fakultetin Teologjik Klasik të Zagrebit absolvoi filozofinë më 1958, e mandej e vazhdoi Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë në Zagreb, ku diplomoi më 1965. Mandej doktoroi në të njëjtin fakultet në Zagreb në nëntor të vitit 1972 me temën: ”DARDANET DHE DARDANIA ANTIKE”(kr). Më 1966. Dr. Zef Mirdita filloi punën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës së pari si asistent i historisë së vjetër dhe arriti deri te prof.ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka qenë këshilltar shkencor në Institutin e Historisë të Kosovës. Ka qenë kryetar i Shoqatës Miqësia Kroato-Shqiptare. Si prof. i historisë së vjetër ka mbajtur ligjërata në shumë Universitete të Evropës, ka qenë redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë si anëtar i Redaksisë Kosovare. Ka specializuar në Romë dhe Munih. Ka tekste të botuara në tri gjuhë shqip, kroatisht dhe gjermanisht. Dr. Zef Mirdita është anëtar korrespondent i ASHA të Kosovës në Prishtinë, ka të botuar 100 artikuj shkencor dhe polemike në Shqip, Kroatisht, Frëngjisht, Gjermanisht dhe Italisht. Jeton dhe punon në Zagreb.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.