← Shfleto

Ylli Vejsiu

Doktor i shkencave të ekonomisë – akademik

Lindi në dhjetor të vitit 1941 në Elbasan i ardhur nga Dibra e Madhe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Mësimet e mesme-gjimnazi dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës-Dega Matematikë e kreu në Tiranë më 1963. E kreu Degën e Ekonomisë së Industrisë në Fakultetin Ekonomik më 1977. Së pari u emërua pedagog në Katedrën e Matematikës të FSHN, mandej Drejtor i Statistikës dhe i Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullsisë. Më 1980 kaloi si pedagog në Fakultetin Ekonomik. Ishte edhe zv. Dekan i këtij fakulteti. U zgjodh ministër i Arsimit dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave (1993-1997). Ka kryer kursin për kualifikim pasuniversitar për zbatimin e metodave matematikore në Paris, kurse për Informatikë në Pekin (1970). Gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike “ e mori më 1986, mandej titullin “Profesor” (1989). Dr. Ylli Vejsiu është autor-bashkautor i 18 monografive dhe i teksteve mësimore, 27 artikuj shkencorë të botuar, 4 prej tyre jashtë. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume në vend dhe jashtë. Prej vitit 1991 është deputet i Kuvendit Popullor. Ka dhe funksione të tjera, Kryetar i Komisionit të Lartë të Kualifikimit pasuniversitar dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë. Është i dekoruar me Urdhrin “N. Frashëri” kl. III.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.