Xhevat Perjuci
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në qershor të vitit 1949 në Deçan. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Teknikën) e kreu në Mitrovicë. Fakultetin e Makinerisë e kreu në Sarajevë më 1973. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë në Beograd, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1979 me temën: ”DINAMIKA BOSHTORE ELASTIKE ME EFEKTIN ZHIROSKOPIK”(sr). Mr. Xhevat Perjuci doktoroi në Fakultetin e Makinerisë të Prishtinës në shkurt të vitit 1988 me temën: ”ELEKTRODINAMIKA E AGREGATËVE MAKINERIKË NË GJENDJE JOSTACIONARE DHE ME PARAMETRA TË NDRYSHUAR”. Dr. Xh. Perjuci punoi si mësimdhënës në Qendrën Teknike të Prishtinës. Më 1977 u zgjodh asistent i lëndës Rezistenca e materialit I dhe II dhe Teoria e elasticitetit në Fakultetin e Makinerisë të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në këtë fakultet. Ligjëron në Fakultet të Elektroteknikës dhe të Xehetarisë-Metalurgjisë të Mitrovicës dhe në SHLT. Dr. Xh. Perjuci ka pasur shumë funksione udhëheqëse: ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit të Makinerisë të Prishtinës. Ka 6 botime interne, ligjërata të autorizuara dhe tekste shkollore. Ka të botuara 10 tekste universitare dhe 18 punime shkencore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.