← Shfleto

Xheladin Murati

Doktor i shkencave të pedagogjisë

Lindi në shkurt të vitit 1942 në Xhepçisht të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në Tetovë, kurse të mesmen (Normalen) në Shkup. Fakultetin Filozofik-Dega e Pedagogjisë e kreu në Shkup më 1969. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë në Beograd, ku edhe magjistroi në shkurt të vitit 1978 me temën:”SHKAQET E NDRYSHIMIT TË SUKSESIT TË NXËNËSVE TË KLASAVE TË PARA TË SHKOLLAVE TË MESME NË KRAHASIM ME SUKSESIN NË SHKOLLAT FILLORE”(sr). Mr. Xheladin Murati doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në maj të vitit 1984 me temën: ”PIKËPAMJET EDUKATIVO-ARSIMORE TË NAIM FRASHËRIT DHE KONTRIBUTI I TIJ NË HISTORINË E PEDAGOGJISË KOMBËTARE”. Dr. Xheladin Murati së pari punoi si mësues, mandej profesor në Gjimnaz të Tetovës në Akademinë Pedagogjike në Shkup, pedagog në Qendrën për Punë Sociale, Deputet në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe nënkryetar i këtij kuvendi. Drejtor i Entit Pedagogjik në Tetovë. Aktualisht është prof. ordinar i Pedagogjisë së përgjithshme dhe i Metodologjisë së hulumtimit në Fakultetin Pedagogjik në Shkup. Si dhe ligjërues në Universitetin e EJL(Shtulit) në Tetovë. Dr. Xh. Murati ka të botuara 180 punime profesionale, 7 tekste universitare dhe 12 libra të ndryshme. Ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me kumtesa.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.