← Shfleto

Vladimir Misja

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në maj të vitit 1928 në Shkodër. Mësimet e para dhe gjimnazin i mori në vendlindje, kurse Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Ekonomisë Urbane, në Institutin e Planit në Shën Peterburg (Leningrad) më 1952. Studimet pasuniversitare i bëri në ENSAE dhe CEPE në Paris për metodat matematike dhe Informatike të zbatuara në ekonomi (1972-1973). Vladimir Misja titullin “Docent” e mori në vitin 1971, kurse “Doktor” në vitin 1981, Profesor më 1983 më vonë edhe akadamik. Dr. Vladimir Misja ka qenë kryetar i Degës së Planit në Ministrinë e Industrisë (1952) drejtor i Departamentit të industrisë së Drurit dhe të materialeve të ndërtimit (1956). Ka qenë pedagog në Katedrën e Industrisë të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, shef Katedre dhe zv.dekan (1959-1989). Ka qenë shef në Qendrën e Demografisë në Universitetin e Tiranës, drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve të Popullsisë. Ka ligjëruar në studimet pasuniversitare lëndën Efektiviteti i investimeve si dhe lëndë të tjera. Dr. V. Misja ka të botuara si autor-bashkautor 11 tekste universitare dhe 35 monografi të botuara në vend dhe jashtë dhe 137 artikuj shkencorë, 61 punim e studime, prej tyre 30 të botuara jashtë vendit. Është dekoruar me: “Urdhri i Punës” kl. III, si dhe me Urdhri i “N. Frashërit” kl. I.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.