Shpresa Hoxha-Raça
Doktor e shkencave të filologjisë
Lindi në mars të vitit 1953 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe letërsi Angleze e kreu në Prishtinë më 1974. Në të njëjtin fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare ku edhe magjistroi në Prishtinë në shtator të vitit 1986 me temën ”FUNKSIONET E KOHËVE TË SHKUARA FOLJORE TË ANGLISHTES E TË SHQIPES DHE PËRKTHIMI I TYRE NË ROMANIN “OLIVER TUISTI” TË Ç. DIKENSIT” Mr. Shpresa Hoxha-Raça doktoroi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë në qershor të vitit 2003 me temën: ”KONTRIBUT I W. M. LEAKE-ut NË FUSHËN E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE”. Dr. Shpresa Hoxha-Raça në fillim punoi si profesoreshë e gjuhës angleze në Qendrën Ekonomike të Mitrovicës, mandej lektore e gjuhës angleze në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë angleze në Fakultetin Filozofik të Prishtinës e më 1983 kaloi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës si ligjëruese e gjuhës angleze tash është docente e kësaj lënde, ku ligjëron edhe në Fakultetin e Makinerisë. Ka të botuara 25 punime dhe disa përkthime.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.