Shaban Shkololli
Doktor i shkencave kimiko – teknologjike
Lindi në janar të vitit 1942 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega e Kimisë e kreu në Prishtinë më 1967. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Teknologjisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në mars të vitit 1975 me temën: ”HULUMTIMET E KOMPLEKSIT KOBALT (II), NIKLIT (II), NË PËRZIERJEN TAMPONE TË ACIDIT TË GLICERINËS ME METODËN POTENCIOMETRIKE”(kr). Mr. Shaban Shkololli doktoroi në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës në tetor të vitit 1986 me temën: ”PËRCAKTIMI I DISA KONSTANTEVE TË STABILITETIT TE DISA METALEVE”. Dr. Shaban Shkololli së pari ishte profesor i kimisë në shkolla të mesme të Pejës. Më 1977 zgjidhet asistent i kimisë organike në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës ku arriti deri te prof. ordinar i lëndës Njohja e mallrave dhe Kontrollimi i kualitetit në këtë fakultet. Ka ligjëruar edhe në SHLE të Pejës. Ka të botuara 14 punime shkencore, 8 punime profesionale dhe 2 Praktikume të Kimisë inorganike për studentë të xehetarisë. Ka qenë në specializim në Belgjikë dhe Angli.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.