Shaban Shabani
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në korrik të vitit 1948 në Zhunicë të Preshevës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Preshevë, ku e kreu edhe Gjimnazin. Fakultetin Teknik-Dega e Makinerisë e kreu në Prishtinë më 1973. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë-Anijendërtimtarisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1983 me temën:”DIRIGJIMI AUTOMATIK PËR PËRPUNIMIN E ELEMENTIT TË XHUNTËS SË NDËRTIMTARISË”(kr). Mr. Shaban Shabani doktoroi në Fakultetin e Makinerisë të Prishtinës në tetor të vitit 1995 me temën: ”KONTRIBUT PËR ZGJIDHJET OPTIMALE TË AUTOMATËVE DIGJITALË ASINKRON PNEUMATIKË DHE TEKNOLOGJISË DREJTUESE ME PROGRAMIM KOMPJUTERIK”. Dr. Shaban Shabani së pari u inkuadrua si mësimdhënës në Shkollën Teknike të Gjilanit, mandej në Shkollën Teknike të Bujanocit. Si drejtor teknik dhe drejtor i përgjithshëm në OP “Metal” në Preshevë. Më 1979 u zgjodh asistent i lëndës Teknika e rregullimit dhe stabilimentet industriale dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka qenë shef Katedre në Departamentin e Makinerisë dhe prodekan i Fakultetit të Makinerisë të Prishtinës. Ka ligjëruar edhe në SHLT në Mitrovicë. Dr. Sh. Shabani ka të botuara 14 punime shkencore, 1 tekst për shkolla të mesme dhe 7 tekste universitare-ligjërata të autorizuara me ushtrime.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.