← Shfleto

Shaban Geci

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1935 në Rogaçicë të Dardanës. Shkollën fillore katër klasëshe e kreu në vendlindje, kurse progjimnazin e filloi në Kamenicë dhe e kreu në Hogosht. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Beograd më 1960, kurse Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup. Specializimin për hematologji e kreu në Zagreb, kurse doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në qershor të vitit 1978 me temën: ”ANEMITË NUTRIVE NË KSA TË KOSOVËS”(sr). Dr. Shaban Geci së pari punoi si mësues dhe drejtor shkolle në Hagosht. Prej aty u përjashtua nga puna si i papërshtatshëm për pushtetin serb. U detyrua të vazhdonte Fakultetin në Beograd, që e kreu me afat dhe doli prof. i gjuhës shqipe - i pari nga Anamorava dhe u caktua prof. në Shkollën e Mesme në Gjilan, por politika serbe përsëri Shabanin e largoi nga procesi mësimor si i papërshtatshëm, por kjo Shabanin nuk e përkuli. Ky e regjistroi Fakultetin e Mjekësisë që e kreu në Shkup. Pra, Shabani i kreu dy fakultete, siç shkruante shtypi i kohës Profesori u bë Mjek. Më vonë Dr. Sh. Geci përsëri u inkuadrua në procesin arsimor, por tash si profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe arriti deri te prof. ordinar i lëndës: Mjekësi interne në këtë fakultet. Ka të botuara mbi 150 punime shkencore dhe mori pjesë në shumë simpoziume shkencore në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.