Servet Pasho
Doktor i shkencave të gjeologjisë
Lindi më 1924 në Libohovë të Gjirokastrës. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Gjirokastër. Studimet e larta i bëri në Universitetin e Sofjes (Bullgari) ku diplomoi si gjeologpetrograf. Në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave të Tiranës ka doktoruar më 1962 me temën: ”NDËRTIMI GJEOLOGJIK DHE NAFTËMBAJTJA E ULTËSIRËS PANADRIATIKE”. Dr. Servet Pasho punoi si gjeolog e kryegjeolog në Kombinatin e Naftës të Kuçovës, kryetar i Degës së Kërkimit të Naftës në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeologjisë në Ministri, mandej pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave dhe zëvendësdekan në atë fakultet. Është autor i teksteve universitare dhe i disa librave për naftën e gazin, ka 21 punime shkencore. Ka marrë pjesë në konferenca gjeologjike kombëtare dhe në simpoziume ndërkombëtare. Vdiq më 1991.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.