← Shfleto

Selman Selmanaj

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në gusht të vitit 1943 në Rastovicë të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Ekonomike) e kreu në Gjilan. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1967. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik të Beogradit, ku edhe magjistroi në janar të vitit 1973 me temën: ”KONCEPCIONI I ZHVILLIMIT EKONOMIK TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË”(sr). Mr. Selman Selmanaj doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Zagrebit në shkurt të vitit 1979 me temën: ” RREGULLA SPECIFIKE E KRIJIMIT DHE NDËRTIMIT TË SHOQËRISË SOCIALISTE NË RSP TË SHQIPËRISË”(kr). Dr. Selman Selmanaj së pari u zgjodh asistent i lëndës Parimet e ekonomisë politike në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i lëndëve Sistemet ekonomike bashkëkohore dhe Makroekonomia I dhe II në të njëjtin fakultet. Dr. S. Selmanaj ka të botuara 60 punime profesionale, 12 prej tyre të botuara anglisht, ka 3 tekste universitare të botuara. Ka qenë prodekan dhe dy mandate dekan i Fakultetit Ekonomik të Prishtinës, drejtor i Entit për Kërkime Ekonomike, shef i Departamentit të Ekonomisë, kryeredaktor i revistes “Ekonomia” dhe kryetar i Këshillit Shkencor të Institutit “RIINVEST” të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.