Salvator Bushati
Doktor i shkencave të gjeologjisë – gjeofizik
Lindi në maj të vitit 1949 në Tiranë. Shkollën fillore, të mesmen dhe Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave, i kreu në Tiranë më 1974. Po në këtë fakultet edhe doktoroi në vitin 1988 me temën: ” NDËRTIMI I HARTËS GRAVIMETRIKE TË SHQIPËRISË NË SHKALLË 1: 20000 DHE STUDIMI KRAHASIMOR I PËRHAPJES SË FUSHËS SË RËNDËSISË NË ALBANIDET E BRENDËSHME NË NDIHMË TË RAJONIZIMIT TEKTONIK DHE METALOGJENIK”. Dr Salvator Bushati së pari punoi si inxh. gjeofizik në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës, ku ishte drejtues i ekspeditës, drejtues i Departamentit të Gjeofizikës dhe të gjeokimisë regjionale në këtë ndërmarrje, drejtues i Qendrës së Kërkimeve Gjeofizike e Gjeokimike, drejtues i menaxhimit të projekteve të zhvillimit shkencor-teknologjik të Akademisë së Shkencave të Tiranës. Më 1995 mori titullin “drejtues kërkimesh”. U specializua në Institutin e Fizikës së Globit në Paris dhe në Qendrën e Formimit Informatik, mandej në Universitetin e Athinës, në Universitetin LEEDS-Angli. Ka qenë pedagog i jashtëm i Fakultetit të Gjeologjisë e të Minierave. Është autor kryesor i Hartës gravimetrike të Shqipërisë dhe i hartave të tjera. Ka 48 aplikime shkencore. U dekorua me “Medaljen për punë të shquar në fushën e gjeologjisë.”
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.