Salih Gashi
Doktor i shkencave kimiko – teknologjike
Lindi me 1944 në Baran të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Gjimnazin) në Pejë. Fakultetin e SHMN-Dega e Kimisë Fizike - e kreu në Beograd më 1966. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Teknologjisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1971 me temën:”FRAKSIONI I POLIMERËVE NË KOLONË”(kr). Mr. Salih Gashi doktoroi në Fakultetin e Teknologjisë të Zagrebit në prill të vitit 1978 me temën: ”HULUMTIMI I STRUKTURËS POROZE TË MEMBRANAVE REVERZO-OSMOTIKE DHE PËRDORIMI I TYRE PËR PASTRIMIN E UJËRAVE TË NDOTURA”(kr). Dr. Salih Gashi në fillim punoi në Minjerën e Kishnicës si udhëheqës i laboratorit të Kimisë e prej vitit 1972 punoi në fillim si asistent i lëndës Kimia fizike në FSHMN të Prishtinës, ku arriti deri te prof.ordinar i Kimisë fizike në këtë Fakultet. Ka qenë në specializim në Çekosllovaki dhe Angli. Dr. S.Gashi është autor i 40 punimeve dhe koautor i 39 punimeve shkencore të botuara. Ka 2 tekste për shkolla të mesme dhe 2 tekste universitare dhe një monografi botuar në Holandë. Ka marrë pjesë në 40 tubime shkencore kombëtare ndërkombëtare dhe ka qenë kryetar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.