← Shfleto

Ruzhdi Ushaku

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1938 në Ulqin. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Frënge - e kreu në Sarajevë më 1964. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Filologjisë-Romanistikën në Beograd, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1972 me temën: ”SHPREHJET IDIOMATIKE NË TEKSTET BASHKËKOHORE TË SERBOKROATISHTËS NË GJUHËN FRËNGE”(sr). Mr. Ruzhdi Ushaku doktoroi në të njëjtin fakultet në Beograd në qershor të vitit 1979 me temën: ”FJALITË HIPOTETIKE ME LIDHËZËN “SI” NË GJUHËN BASHKËKOHORE FRËNGE TË TEKSTEVE LETRARE”(sr). Dr. Ruzhdi Ushaku së pari punoi si mësues në Kryth, profesor i gjuhës frënge në Gjimnaz të Gjilanit, në Normale të Prishtinës si dhe prof. i frëngjishtes dhe i latinishtes. Më 1970 kaloi në Institutin Albanologjik dhe ligjërues i gjuhës latine në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Prej vitit 1971 është prof. ordinar i Morfosintaksës dhe i Sintaksës në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Ka qenë disa herë për specializim në Francë. Ka të botuar 100 studime e artikuj dhe 6 vepra letrare. Ka diplomën e studimeve të larta të gjuhës moderne së sotme frënge. Ka mbajtur ligjërata në shumë universitete të Evropës dhe të Botës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.