← Shfleto

Rifat Blaku

Doktor i shkencave të natyrës – gjeografisë

Lindi në janar të vitit 1945 në Brainë të Podujevës (Besianë). Shkollën fillore e kreu në Podujevë kurse të mesmen në Prishtinë. Fakultetin e SHMN-Dega e Gjeografisë e kreu në Prishtinë më 1973. Studimet pasuniversitare i filloi në Sarajevë dhe i kreu në FSHMN të Zagrebit, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1981 me temën: ”ASPEKTI POPULLATIVO-GJEOGRAFIK (Demografik) I ZHVILLIMIT TË KSA TË KOSOVËS PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE”(kr). Mr. Rifat Blaku doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës në qershor të vitit 1994 me temën: ”MIGRIMET E JASHTME EKONOMIKE DHE ZHVILLIMI RAJONAL I KOSOVES”. Dr. Rifat Blaku në fillim ishte rizgjedhur asistent i gjeografisë së SFRJ, mandej docent i Ekonomisë së resurseve në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Është marrë me problemet e migrimit të shqiptarëve (Kosovarëve) në shtetet e Evropës dhe më gjerë. Ka bërë shumë aktivitete shkencore dhe profesionale për çështje ekonomike, demografike dhe migracioni në diasporë, ka pasur kontakte në qendrat botërore prej Evrope deri në Amerikë. Dr. Rifat Blaku specializoi në Zagreb dhe Vjenë. Ka të botuara disa punime shkencore, një tekst të gjeografisë për shkolla të mesme të ribotuar disa herë dhe ka qenë prodekan i Fakultetit Ekonomik të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.