← Shfleto

Rexhep Mejdani

Doktor i shkencave të natyrës – fizikës

Lindi më 1944 në Tiranë. Aty e kreu shkollimin fillor, të mesmin dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës –Dega Fizikë më 1966. Studimet pasuniversitare i bëri në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin XI të Parisit (Francë), ku mbrojti disertacionin e ciklit të Tretë në Fizikën e trupave të ngurtë (1973-1976). Më 1966 u emërua pedagog në Katedrën e Fizikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Tiranës. Ishte edhe dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Tiranës. Dr. Rexhep Mejdani ka të botuara disa monografi dhe tekste universitare të lëmit të fizikës. Ka dhënë mësim në disa universitete të huaja, disa prej tyre ia kanë dhënë titullin “Doctor honoris causa” si: Universiteti i Stambollit, i Selanikut, i Sofjes, i Romës, i Brixhportit dhe i Porsmuthit. Ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës. Me ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990 u bë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më 1997 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Po atë vit u zgjodh kryetar i Republikës së Shqipërisë. Ka botuar shumë shkrime për Kosovën, që janë përmbledhur në vëllimin “Presidenti Mejdani dhe Kosova 27.09.1997 - 30.07.1999”. Dr. R. Mejdani ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës II dhe urdhra e medalje edhe nga institucionet e vendeve të huaja.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.