Rexhep Doçi
Doktor i shkencave të filologjisë – onomastikës
Lindi më 1943 në Kërnicë të Klinës. Shkollën fillore e nisi në Pograxhë dhe e kreu në Klinë. Shkollën Normale e kreu në Pejë, SHLP e kreu në Prizren, kurse Shkallën e Dytë të Fakultetit Filozofik-Dega e Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë më 1968, ku i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në këtë fakultet në shkurt të vitit 1977 me temën: ”ONOMASTIKA SHQIPTARE E LLAPUSHËS”. Mr. Rexhep Doçi doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1989 me temën: ”ONOMASTIKA E SHQIPTARËVE TË DRENICËS”. Dr. Rexhep Doçi punoi si përkthyes në Kombinatin “Kosova” të Obiliqit, e prej vitit 1975 kaloi me punë në Institutin Albanologjik si bashkëpunëtor i Degës së Onomastikës ku arriti deri te këshilltar i lartë shkencor për Onomastikë në këtë institut të Prishtinës, ku edhe tash punon. Dr. R. Doçi ka të botuara më tepër se 80 punime shkencore dhe 4 libra nga Onomastika, ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në lidhje me Onomastikë në vend dhe jashtë vendit me kumtesa nga kjo fushë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.