← Shfleto

Ramadan Idrizaj

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi në prill të vitit 1953 në Zhur të Prizrenit. Shkollën fillore dhe të mesmen ( të Mjekësisë) e kreu në Prizren me sukses të shkëlqyer. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1986. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit, ku i dha të gjitha provimet, kurse temën e lejuar dhe të punuar e mbrojti në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në prill të vitit 2000 me temën: ”INCIDENCA E KANCERTIT TË GJIRIT NË KOSOVË”. Mr. Ramadan Idrizaj doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në dhjetor 2005 me temën: ”DIAGNOSTIKA RADIOLOGJIKE BASHKËKOHORE E TUMOREVE TË TRURIT ME TOMOGRAFI TË KOMPJUTERIZUAR DHE REZONACË MAGNETIKE”. Dr. Ramadan Idrizaj punoi si mjek në Repartin e Radiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës ku e filloi specializimin, atë e vazhdoi në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb për Onkologji dhe Radiologji. Dr. R. Idrizaj më 1996 për herë të parë ka aplikuar Diagnostifikimin me Tomografi të kompjuterizuar në Prishtinë dhe në tri qendra të tjera të Kosovës, e në vitin 2000 për herë të parë në Trojet Shqiptare është rihapur Klinika Radiologjike me aparaturë të rezonancës magnetike. Dr. Ramadan Idrizaj që nga viti 1996 drejton Klinikën Radiologjike “Rezonanca” në Prishtinë në vitin 2000 është zgjedhur asistent i lëndës Onkologji me radiologji në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës. Ka të botuara 7 punime shkencore dhe 15 punime të tjera si koautor.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.