Qëndrim Gashi
Doktor i shkencave të natyrës, matematikës
Në familjen e Reshit dhe Mire Gashit lindi fëmija i tretë, djalë, i cili u pagëzua me emrin Qëndrim. Ai lindi më 4 qershor 1984. Qëndrimi u rrit në Klinë, ku në moshën 6-vjeçare u regjistrua në klasën e parë dhe i kreu shtatë klasë të shkollës fillore. Kur ishte në klasën e VII-të, në nivel të Komunës së Klinës u mbajtën garat e matematikës, ku ai mori vendin e parë si matematikan i ri. Ai u tregua i dalluar edhe në lëndët e tjera mësimore si nxënës i shkollës fillore “Motrat Qiriazi” të Klinës. Enti Pedagogjik organizoi garat për matematikanë të rinj të shkollave fillore të Kosovës, të mbajtura në Shtime, ku Qëndrimi mori përsëri vendin e parë në nivel të Kosovës. Pra, në dy garat e organizuara për matematikanë të rinj të shkollave fillore, Qëndrimi mori vendin e parë. Më pas u organizuan garat për matematikanë të rinj në nivel gjithëkombëtar, të mbajtura në Kërçovë, ku edhe aty Qëndrimi mori vendin e parë në nivel të klasave të shtata të shkollës fillore. Qëndrimi klasën e VIII-të e vazhdoi në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, ku mori pjesë në garat e matematikanëve të rinj dhe zuri vendin e parë. Shkollën e mesme e bëri në kalim. Në moshën 14-vjeçare, Qëndrimi u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Dega e Matematikës, në Prishtinë, dhe diplomoi në qershor të vitit 2002 me sukses të shkëlqyeshëm, megjithëse nuk kishte bursë universitare në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i bëri në Angli me bursë të Mbretërisë së Anglisë, në Universitetin e Kembrixhit, ku dha provimet dhe një punim në nivel të magjistraturës me temën “Teoria e Weyl-it mbi karakteret”, në qershor të vitit 2003. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Çikagos, ku dha provimet dhe mori gradën “Magjistër i shkencave të matematikës” në qershor të vitit 2004. Magjistri i dyfishtë, Qëndrim Gashi, doktoroi në Universitetin e Çikagos më 19 shkurt 2008 me temën “Konjuktura e Kottwitz-it dhe raportet mbi grupet Enasame”, ku mori gradën shkencore “Doktor i shkencave të natyrës, matematikës”. Qëndrim Gashi diplomoi në matematikë në moshën 18-vjeçare në Prishtinë, magjistroi për herë të parë në moshën 19-vjeçare në Universitetin e Kembrixhit, kurse për herë të dytë magjistroi në moshën 20-vjeçare në Universitetin e Çikagos. Mr. i dyfishtë Qëndrim Gashi u doktorua kur kishte 23 vjet, 4 muaj e 15 ditë. Pas kryerjes së studimeve, Dr. Qëndrim Gashi filloi punën në Institutin “Max Planck” në Bonn, në Institutin “Isaac Newton” në Kembrixh, në Institutin e Studimeve të Larta të Shkencave të Natyrës në periferi të Parisit dhe si profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës. Dr. Qëndrim Gashi ka 5 punime shkencore të botuara në revistat shkencore të universiteteve ku ka studiuar. Prej fakteve të dhëna del se Qëndrimi është matematikani më i ri i diplomuar ndër shqiptarët, si dhe magjistri më i ri i matematikës dhe doktori më i ri i matematikës i gjakut tonë, ndër shqiptarët në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë, i shekullit XXI. Margaritari i shkencës ekzakte, matematikës, e kreu fakultetin në moshën 18-vjeçare në Prishtinë, magjistroi në moshën 19-vjeçare në Angli, magjistroi përsëri në moshën 20-vjeçare në Çikago dhe po aty doktoroi në moshën 23-vjeçare.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.