← Shfleto

Qemajl Sokoli

Doktor i teatrologjisë

Lindi në janar të vitit 1950 në Rahovec. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) në Prizren ku e kreu edhe SHLP-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Fakultetin e Arteve të Dramës, për Televizion, Film dhe Radio i kreu në Beograd më 1977. Studimet pasuniversitare për Producent të Filmologjisë dhe Televizionit i kreu në të njëjtin fakultet në Beograd ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1983 me temën: ”ZHVILLIMI I KINEMATOGRAFISË NË KOSOVË“(sr). Mr. Qemajl Sokoli doktoroi në të njëjtin fakultet në teatrologji në Beograd në tetor të vitit 1994 me temën: ”ZHVILLIMI I TEATRIT POPULLOR KRAHINOR NË PRISHTINË“(sr). Dr. Qemajl Sokoli prej vitit 1976 punon në Televizionin e Prishtinës së pari si producent e më vonë drejtor i Produkcionit. Dr. Q. Sokoli merret edhe me kërkime shkencore, letrare, estetike, publicistikë dhe me kritikë arti. Ky është themelues i Teatrit të Mitrovicës. Ka shkruar dhe botuar disa monodrama (10 vepra të tilla) dhe 3 monografi. Dr. Q. Sokoli është i vetmi producent i filmit dhe televizionit te ne që magjistroi në filmologji dhe doktoroi në teatrologji (ndër të rrallët në botë). Tash është docent i filmologjisë dhe teatrologjisë kombëtare dhe botërore në Fakultetin e Arteve të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.