← Shfleto

Priamo Bollano

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në shkurt të vitit 1936 në Himarë të Vlorës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, Teknikumin e Tregtisë në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Fakultetin Ekonomik të Tiranës më 1958. Priamo Bollano e ka titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” (1972), kurse gradën shkencore “Doktor i shkencave të Ekonomisë” e mori më 1982 e më 1987 e mori edhe titullin “Profesor”. Dr. Priamo Bollano punoi si ekonomist – financier, bashkëpunëtor shkencor në Drejtorinë e Studimeve në Komisionin e Planit të Shtetit, e përgjegjës në Institutin e Studimeve Ekonomike pranë Këshillit të Ministrave. Ka qenë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Statistikës. Dr. P. Bollano është autor i 4 monografive shkencore, hartues i Fjalorit Enciklopedik shqiptar. Ka marrë pjesë në hartimin e shumë studimeve shkencore, ka hartuar edhe tekste universitare për Fakultetin e Ekonomisë dhe për Fakultetin e Ekonomisë Agrare të Universitetit të Bujqësisë të Kamzës. Është autor bashkautor i 30 punimeve shkencore. Ka qenë pedagog i jashtëm i Fakultetit Ekonomik të Tiranës për lëndët: “Planifikimi i ekonomisë popullore” dhe në Fakultetin e Ekonomisë Agrare për lëndët “Financat e përgjithshme” dhe “Financat e degëve të ndërmarrjeve bujqësore”. Mori medaljen “N. Frashëri” dhe medalje të tjera.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.