Polo Çakalli
Doktor i shkencave të ekonomisë – ekonomia agrare
Lindi në nëntor të vitit 1930 në Pilur të Himarës rrethi i Vlorës. Shkollën fillore dhe shkollën e ulët teknike i kreu në Kavajë. Shkollën e mesme e filloi në Kroaci dhe e përfundoi në Teknikumin Bujqësor të Kamzës dhe mori “Medaljen e Artë”. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Organizimit Bujqësor në Universitetin e Leningradit me sukses të “shkëlqyeshëm” më 1957 dhe mori titullin shumë të rrallë “Agronom ekonomist shkencëtar”, e mandej edhe gradën “Doktor i shkencave ekonomike”. Dr. Polo Çakalli më 1969 u emërua drejtor i Organizimit në Ministrinë e Bujqësisë e mandej drejtor i Kombinatit të Mishit në Tiranë, kurse në vitin 1989 u emërua për së treti herë ministër i Bujqësisë. Dr. Polo Çakalli është i plejadës së specialistëve që sollën risi në ekonominë bujqësore të vendit. Është autor-bashkautor i një sërë studimesh në lëmin e agronomisë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.