Petraq Sotiri
Doktor i shkencave të agronomisë
Lindi më 1936 në Korçë. Mësimet e para dhe të mesmet i bëri në vendlindje. Fakultetin e Agronomisë e kreu në ILB të Kamzës dhe diplomoi si agronom më 1958. Së pari punoi si specialist i Pemtarisë në Lushnjë. Më 1966 zgjidhet pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës. Më 1984 emërohet shef i Sektorit Shkencor të Vreshtarisë në Institutin e Kërkimeve të Pemtarisë dhe të Vreshtarisë në Tiranë. Mban gradën shkencore “Profesor doktor”. Prej vitit 1999 Dr. Petraq Sotiri punon në Institutin e Kërkimeve biologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, është anëtar korrespondent i akademisë Italiane të Hardhive dhe Verës në Siena, është Zëvendëspresident i Shoqatës Kombëtare të Vreshtarisë dhe të Verëtarisë dhe drejtor i Institutit të Pemëtarisë “Tempus”. Prof. Dr. Petraq Sotiri ka dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e Pemëtarisë në përgjithësi, ka të botuara 15 studime si autor-koautor dhe 25 tituj librash e tekstesh mësimore si dhe monografi të botuara.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.