Osman Imami
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1936 në Hasanbeg të Shkupit. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në Pejë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup më 1961. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në shkurt të vitit 1968 me temën: ”FAUNA E PARAZITEVE TË ZORRËVE-HELMINATAT TE DISA GRUPE BANORËSH TË KOSOVËS DHE RËNDËSIA EPIDEMIOLOGJIKE E TYRE”(kr). Mr. Osman Imami doktoroi në të njëjtin fakultet në Zagreb në nëntor të vitit 1971 me temën:”EKZAMINIMI I INFEKTIMIT TË POPULLSISË SË KOSOVËS ME TOKSOPLAZMA GANDI DUKE U SHFRYTËZUAR NË DISA REAKSIONE SEROLOGJIKE DHE ALERGJIKE”(kr) Dr Osman Imami ishte doktor i parë i shkencave Mjekësore në Kosovë. Specializimin e kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, Zagreb, SHBA dhe Suedi. Së pari u zgjodh ligjërues i Mikrobiologjisë e Parazitologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, ku arriti deri te prof.ordinar i këtyre lëndëve. Ka qenë drejtor i Entit Krahinor për Mbrojtjen e Shëndetit. Ka të botuara 45 punime shkencore kryesisht jashtë shtetit Ka 4 tekste universitare që e përdorin të gjitha Fakultetet e Mjekësisë në Jugosllavi. Ka përkthyer disa tekste mjeksie prej anglishtes në shqipe. Dr. O. Imami ka qenë anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës në Prishtinë. Vdiq në SHBA më 1996.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.