← Shfleto

Nexhat Orana

Doktor i shkencave teknike – elektroteknikës

Lindi më 1930 në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Prishtinë. Paralelisht studjoj në dy fakultete: të Elektroteknikës dhe të Shkencave Matematikore të Beogradit në të cilat dhe diplomoi më 1957. Pas një përvoje të gjatë doktoroi në Fakultetin Teknik të Prishtinës në nëntor të vitit 1980 me temën. ”KONTRIBUT TEORISË SË ANTENAVE LINEARE NË PRANINË E REFLEKTORËVE”(sr). Dr. Nexhat Orana në fillim punoi si prof. i matematikës në Gjimnazin e Gjilanit, mandej si inxh. i elektroteknikës në Radio Prishtinë. Me hapjen e SHLP në Prishtinë kaloi udhëheqës i ushtrimeve të Fizikës dhe ligjërues i matematikës-gjeometrisë deskriptive, kurse me hapjen e SHLT në Prishtinë u zgjodh ligjërues i Bazave të elektroteknikës. Më 1969 zgjidhet ligjërues i kësaj lënde në Fakultetin Teknik të Prishtinës, kurse më 1971 zgjidhet ligjërues i makinave llogaritëse në këtë fakultet. Dr. N. Orana ka përkthyer literaturë profesionale nga serbishtja në shqipe për shkolla të mesme dhe për fakultet. Ka të botuara 5 tekste universitare të elektroteknikës. Ka marrë pjesë në shumë projekte në TV. Prishtinës. Ka të botuara 5 programe të hartuara për kompjuter, i ka edhe 11 punime shkencore të botuara. Vdiq më 1996 në Prishtinë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.