Nexhat Daci
Doktor i shkencave të natyrës – kimisë
Lindi më 1944 në Tërnoc të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Leskovc. Fakultetin e SHMN-Dega e Kimisë e kreu në Beograd më 1966. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në qershor të vitit 1968 me temën: ”GRUPET FUNKCIONALE TË OKSIGJENIT NË KAROGJENIN E SHKËMBIT BITUMINOZ TË ALEKSINCIT”(sr). Mr. Nexhat Daci kreu kurse studimesh pasuniversitare edhe në Li-ges të Belgjikës. Mr. N. Daci e vazhdoi punën shkencore dhe u doktorua në FSHMN-Degën e Kimisë në Zagreb në qershor të vitit 1973 me temën: ”KONTRIBUT I PËRCAKTIMIT TË STRUKTURËS KIMIKE TË SUBSTANCAVE ORGANIKE TË THËNGJILLIT TË KOSOVËS”(kr). Dr. Nexhat Daci studimet posdoktoratës i vazhdoi në Angli. Ky më 1968 zgjidhet asistent i Kimisë në FSHMN në Prishtinë ku arriti deri te prof. ordinar i kimisë në këtë Fakultet, ku ka qenë edhe Shef i Katedrës së kimisë. Specializoi në shumë vende të Evropës, ka marrë pjesë në shumë Kongrese ndërkombëtare, është anëtar i Shoqatës së Kimistëve Amerikane, dhe anëtar i rregullt i ASHA e Kosovës në Prishtinë ku ka qenë Sekretar i përgjithshëm dhe Kryetar i kësaj Akademie në Prishtinë. Akademik Nexhat Daci ka 50 punime shkencore të botuara, 37 kumtesa, 15 tekste të Kimisë për të gjitha nivelet e shkollimit. Ka qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.