← Shfleto

Ndre Mjeda

Doktor i dyfisht,filozofi – teologji

Lindi më 1866 në Shkodër. Mësimet e para i mori në një shkollë private të arqipeshkvisë në Shkodër dhe Seminarin e Jezuitëve i kreu në vendlindje. Studioi teologjinë në disa vende si në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Ky studim në shumë vende bëri që Mjeda të mësonte shumë gjuhë. Doktoroi në filozofi dhe teologji. Mjeda një kohë punoi në Itali në një shkollë fillore. Nga kjo shkollë u largua për shkak të kokëfortësisë së tij, u kthye në Shqipëri dhe punoi si famulltar në fshatrat e Shkodrës. Më 1901 Mjeda me të vllanë Lazrin formoi Shoqërinë “Agimi” dhe krijuan një alfabet dhe me të botuan disa libra shkollorë. Më 1902 Mjeda mori pjesë në Kongresin e Orientalistëve në Hamburg ku paraqiti një disertacion për Çështjen e qiellzoreve në shqipe. Me të kthyer në Shkodër Qeveria turke e arrestoi dhe deshi ta internonte në Anadoll, por në saje të ndërhyrjes së popullit e lirojnë. Dr. Ndre Mjeda ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh anëtar i Komisionit për përpilimin e alfabetit. Mjeda u mor edhe me krijimtari letrare, që shkroi dhe botoi shumë vjersha që i botoi në një vëllim të veçantë. Është marrë edhe me çështje gjuhësore. Ka shkruar edhe tekste shkollore dhe ka të botuara 7 vepra, së fundi punoi si profesor i Gjuhës Shqipe në gjimnazin e jezuitve në Shkodër. Dr. Ndre Mjeda vdiq në Shkodër më 1937.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.