← Shfleto

Nazmi Mustafa

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në nëntor të vitit 1941 në Dumnicë të Podujevës (Besianë). Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Podujevë, shkollën e mesme (Komerciale) e kreu në Beograd. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1965. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik-Grupin e Organizimit të Ndërmarrjes në Zagreb, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1969 me temën: ”ORGANIZIMI I UDHËHEQJES DHE POLITIKA AFARISTE E KXEK “KOSOVA” NË PRISHTINË (kr). Mr. Nazmi Mustafa doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës në dhjetor të vitit 2005 me temën: ”ROLI I POLITIKËS AFARISTE NË NDËRMARRJE I KONKRETIZUAR NË SHEMBULLIN E KEK-ut”. Dr. Nazmi Mustafa punoi në Bankën Investive të Prishtinës, mandej u zgjodh asistent i lëndës Organizimi i punës në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Më vonë ligjëroi edhe Organizimin e ndërmarrjes, Organizimin afarist dhe Menaxhmentin strategjik në këtë fakultet. Ka qenë prodekan dhe dekan i këtij fakulteti. Ka pasur funksione të larta shoqërore dhe ekonomike në Kosovë dhe në Jugosllavi, nënkryetar dhe kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, kryetar i komunës së Podujevës, nënkryetar dhe kryetar i Qeverisë së Kosovës. Anëtar i Qeverisë Federative të Jugosllavisë, ministër i Komunikacionit dhe lidhjes, ministër i Tregtisë i Jugosllavisë. Tash është kryetar i Bordit të Bankës Private të Biznesit të Prishtinës. Dr. Nazmi Mustafa është magjistri i parë i shkencave ekonomike nga radhët e shqiptarëve të Kosovës. Ka marrë pjesë në tubime shkencore në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.