← Shfleto

Nagip Murati

Doktor i shkencave të metalurgjisë

Lindi në qershor të vitit 1953 në Gjilan. Rrjedh nga një familje që më parë ishte shpërngulur nga Malësia e Gallapit (Hajkobillë e Prishtinës). Shkollën fillore dhe të mesmen (Teknike) i kreu në Prishtinë. Fakultetin e Metalurgjisë e kreu në Beograd më 1977. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Teknologjisë-Metalurgjisë në Beograd ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1982 me temën: ”SHQYRTIMET TEORIKE DHE EKSPERIMENTALE ME QËLLIM TË PËRFITIMIT TË FERONIKELIT”(sr). Mr. Nagip Murati doktoroi në Universitetin Politeknik të Tiranës në janar të vitit 1995 me temën: ”STUDIME TEORIKE DHE EKSPERIMENTALE ME QËLLIM TË PËRCAKTIMIT TË MODELIT OPTIMAL TË PRODHIMIT TË FERONIKELIT NË SHKRITORËN E FERONIKELIT NË GLLOGOC”. Dr. Nagip Murati së pari punoi si inxh. në Feronikel të Gllogocit ku ishte edhe drejtor i Shkritores dhe paralelisht mbante ligjërata për lëndën Metalurgjia e metaleve me ngjyrë. Tash është prof. ordinar i Fakultetit të Xehetarisë-Metalurgjisë të Mitrovicës. Specializoi metalurgjinë në Gjermani, Rusi, Norvegji, Danimarkë, Smederevë e Shkup. Dr. N.Murati është anëtar i Nënkomitetit të Parë i 155C për Standardizimin e hekurit. Ka marrë pjesë në shumë qendra botërore. Përkohësisht ka punuar në Zvicër. Ka të botuara 28 punime shkencore, 19 kumtesa në simpoziume të ndryshme dhe 2 tekste universitare.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.