Nafije Meka
Doktor e shkencave të mjekësisë – biokimisë
Lindi në janar të vitit 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega e Kimisë - e kreu në Prishtinë më 1965. Studimet pasuniversitare i bëri në FSHMN-Dega e Kimisë Organike – Drejtimi i biokimisë në Zagreb ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1973 me temën: ”KONTRIBUT NJOHJES SË LIPIDEVE TË QELIZAVE TË TRURIT DHE LIPOIDET E ACIDEVE HIDROKSIDE”(kr). Mr. Nafije Meka doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në korrik të vitit 1980 me temën: ”VARIACIONET CIRKAIDALE DHE MUJORE NË METABOLIZMIN E PROSTAGLANDINAVE TE FEMRAT”(sr). Dr. Nafije Meka në fillim punoi si profesoreshë e Kimisë në Gjimnaz të Prishtinës. Më 1972 u zgjodh asistente e Biokimisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i biokimisë në këtë fakultet. Dr. Nafije Meka është magjistre e parë e Kimisë dhe doktore e parë e biokimisë nga radhët e femrave shqiptare të Kosovës. Ka të botuara 30 punime shkencore nga lëmi i biokimisë. Jeton në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.