Myzafere Baloku-Mustafa
Doktor e shkencave të filologjisë
Lindi në korrik të vitit 1947 në Pejë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1972. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet në Prishtinë, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1982 me temën: ”KËNGËT E DASMËS NË SHTËPI TË VAJZËS”. Mr. Myzafere Baloku-Mustafa doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në qershor të vitit 2001 me temën: ”PËRRALLA SHQIPTARE - POETIKA DHE MITIKJA”. Dr. Myzafere Baloku Mustafa së pari punoi si përkthyese në Entin për Inkuadrim të Prishtinës, prej vitit 1973 punon në Institutin Albanalogjik-Dega e Folklorit - si bashkëpunëtore shkencore e këtij instituti. Dr. M. Baloku-Mustafa ka më tepër se 50 punime profesionale disa të botuara jashtë Kosovës dhe 2 libra dhe si koautore në 4 libra të tjera. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj me kumtesa nga lëmi i folklorit.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.