← Shfleto

Musa Limani

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në nëntor të vitit 1945 në Vërban të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Ekonomiken) në Gjilan. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik në Grupin Politika e zhvillimit ekonomik dhe metodat e analizës - në Zagreb, ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1972 me temën: ”INVESTIMET SI FAKTOR I ZHVILLIMIT EKONOMIK ME VËSHTRIM TË POSAÇËM NË KSA TË KOSOVËS”(kr). Mr. Musa Limani doktoroi në të njëjtin fakultet në Zagreb, në mars të vitit 1978 me temën: ”INVESTIMET DHE ZHVILLIMI EKONOMIK I KSA TË KOSOVËS”(kr). Dr. Musa Limani së pari punoi në Entin Krahinor të Planifikimit në Prishtinë, mandej asistent i ekonomisë politike në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde. Që nga fillimi ligjëron edhe në Universitetin e Tetovës. Dy mandate ka qenë prodekan i Fakultetit Ekonomik të Prishtinës, Drejtor i Institutit Ekonomik të Prishtinës, Kryetar i Komisionit për shkencë i Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës, anëtar i Këshillit Qendror të Pajtimit e Gjaqeve në Kosovë, anëtar i Komisionit për çështje ekonomike në kuadër të Delegacionit të Kosovës në Rambuje. Ka të botuar një monografi, 7 tekste për shkolla të mesme dhe 7 tekste universitare. 35 punime shkencore, prej tyre 7 punime të botuara jashtë Kosovës, 23 punime profesionel dhe 29 kumtesa në simpoziume të ndryshme në Kosovë dhe jashtë. Ka qenë në rang ministri në Departamentin e Tregtisë dhe të Industrisë në kuadër të UNMIK-ut.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.