← Shfleto

Murat Bejta

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1937 në Zhiti të Podujevës (Besianë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Mitrovicë. Fakultetin Filozofik-Dega e Gjuhës Frëng, e kreu në Beograd më 1960. Studimet pasuniversitatre i bëri në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1975 me temën: ”PËRSHKRIMI LINGUISTIK I ELEMENTIT FRËNG NË GJUHËN BASHKËKOHORE SHQIPE”(kr). Mr. Murat Bejta doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në nëntor të vitit 1980 me temën: ” KARAKTERISTIKAT E HUAZIMEVE ROMANE TË SHQIPËS”. Dr. Murat Bejta në fillim punoi si prof. i gjuhës frënge në Gjimnaz të Mitrovices, mandej shkoi si anëtar i Ambasadës në Guine, dhe atje punoi si prof. i gjuhës frënge. Me themelimin e Katedrës së Gjuhës Frënge në Fakultetin Filozofik të Prishtinës punoi si ligjërues i frëngjishtes dhe arriti gradën prof. ordinar i gjuhës frënge në këtë fakultet. Dr. M. Bejta specialitoi gjuhën frënge në Francë, Itali, Belgjikë. Ka të botuara libra për të gjitha nivelet e shkollimit, ka të botuara 30 punime shkencore dhe një numër të madh përkthimesh nga frëngjishtja në shqipe dhe anasjelltas. Pas luftes së UÇK-së shkoi në Francë, ku ligjëroi në një universitet të Parisit, ku edhe jeton.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.