Muharrem Kutllovci
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1938 në Kryshec të Obiliqit. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup më 1966. Pas një përvoje të gjatë mjekësore, doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në janar të vitit 1977 me temën: ”KARAKTERISTIKAT EPIDEMIOLOGJIKE DHE KLINIKE TË HEPATIT VIRUSAL NË TERRITORIN E KSA TË KOSOVËS NË PERIUDHËN 1964-1973 ME VËSHTRIM MBI MANIFESTIMET EKSTRAHEPATITIKE KLINIKE”(sr). Dr. Muharrem Kutllovci punën si mjek e filloi në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Specializimin e bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit. Më 1972 u zgjodh asistent i Sëmundjeve Infektive në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet ku punoi gjithë kohën. Ka të botuara 60 punime shkencore si autor-koautor. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume të infektologëve në Kosovë dhe jashtë. Ka qenë prodekan i Fakultetit të Mjekësisë të Prishtinës. Vdiq në Prishtinë në vitin 2000.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.