Mihal Gjoka
Doktor i shkencave të gjeologjisë
Lindi në gusht të vitit 1940 në Goranzi të Gjirokastrës. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet në Gjirokastër. Studimet e larta i filloi në Institutin e Naftës në Bukuresht (Rumani), kurse i kreu në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave në Tiranë më 1963. Po në këtë fakultet edhe doktoroi në vitin 1999 me temën:” NDËRTIMI GJEOLOGJIK, KUSHTET E FORMIMIT, SHTRIRJES DHE PËRSPEKTIVA E VENDBURIMEVE RANORE NË PJESËN JUGLINDORE TË U. P. A”. Dr. Mihal Gjoka së pari punoi si inxh. gjeolog në Ndërmarrjen e Naftës të Patosit, në Institutin e Naftës e të Gazit në Kuçovë e Fier, si kryegjeolog në Drejtorinë e Shpim-Kërkimit të Patosit, zv/drejtor në Institutin e Naftës e të Gazit të Fierit. U mor me kërkimin e naftës-gazit. Rezultatet e kërkimeve i shpallte në raporte. Mori pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Është dekoruar me “Urdhrin për punë të shquar në miniera e gjeologji” kl. III.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.