Mehmet Rukiqi
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1936 në Verboc të Gllogocit (Drenasit). Shkollën fillore e nisi në Tërstenik dhe e kreu në Gllogoc, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhës dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1971. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistruoi në Prishtinë në korrik të vitit 1984 me temën: ” ANEKDODA GOJORE SHQIPTARE”. Mr. Mehmet Rukiqi doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në korrik të vitit 1994 me temën: ”KRIJUESIT DHE BARTËSIT E TREGIMIT POPULLOR NË DRENICË”. Dr. Mehmet Rukiqi së pari punoi si mësues në fshatra të Drenicës, mandej si mësimdhënës dhe si përkthyes. Ka të botuara 20 punime shkencore dhe ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore me kumtesa të lëmit të tregimtarisë popullore të Drenicës. I është botuar disertacioni. Është mbledhës i pasionuar i anekdotave dhe i tregimeve popullore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.