← Shfleto

Mehdi Frashëri

Doktor i shkencave juridiko – ekonomike

Lindi më 1874 në Frashër të Dangllisë së Përmetit. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Manastir. Studioi shkencat juridiko-ekonomike në Universitetin e Stambollit ku edhe u doktorua në shkencat juridiko-ekonomike në këtë universitet. Punoi në administratën otomane në Shqipëri, Maqedoni, Sanxhak e Samsun. Më 1911 Dr. Mehdi Frashëri u emërua Beg në Jerusalem dhe Guvernator i Përgjithshëm në Palestinë, mandej Nënkomisar i lartë në Egjipt. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912) u kthye në atdhe dhe emërohet përfaqësues i Qeverisë Shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë. Më 1919 u emërua ministër i Punëve të Brendshme, pastaj delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes, e më vonë ministër i Punëve të Jashtme. Prej vitit 1923-1939 e përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, mandej u emërua edhe kryeministër i Shtetit Shqiptar. Dr. Mehdi Frashëri ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe politikan i dalluar. Vdiq në Romë më 1963.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.