Latif Susuri
Doktor i shkencave të bujqësisë
Lindi më 1941 në Zhur të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Bujqësoren) në Prishtinë. Fakultetin e Bujqësisë –Dega Mbrojtja e bimëve e kreu në Beograd më 1966. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet, por në Degën e Fitopatologjisë në Beograd, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1975 me temën: ”HULUMTIMI I BIOLOGJISË, EKOLOGJISË DHE LUFTIMI I ASCOCHYTA PISI LIB PARAZITIT TË BIZELES “(sr). Mr. Latif Susuri doktoroi në Fakultetin e Bujqësisë të Zagrebit në nëntor të vitit 1983 me temën: ”HULUMTIMI I ASCOCHYTA PISI LIB PATOGJEN I BIZELES (PISUM SATIVUM)”(kr). Dr. Latif Susuri së pari punoi si inxh. në Repartin e Mbrojtjes së Bimëve në KBI “Progres” të Prizrenit, mandej shkoi në specializim në SHBA (dy herë). Prej vitit 1977 Dr. L.Susuri është ligjërues i lëndës Fitopatologjia në Fakultetin e Bujqësisë të Prishtinës ku arriti deri te prof.ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka të botuara 30 punime shkencore, shumica e tyre jashtë vendit, ka 4 tekste, prej tyre 2 universitare. Ka qenë ushtrues detyre të dekanit në Fakultetin e Bujqësisë të Prishtinës dhe është anëtar korrespodent i ASHA-s të Kosovës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.