Latif Mulaku
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1932 në Ceceli të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Samodrexhë, progjimnazi në Prishtinë, kurse Normalen në Gjakovë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Beograd më 1957. Doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në maj të vitit 1965 me temën:” E FOLMJA SHQIPE E SHALËS SË BAJGORËS”(sr). Dr. Latif Mulaku së pari punoi si mësues e si prof. i gjuhës shqipe në Vushtrri dhe në Gjimnaz të Mitrovicës. Në tetor të vitit 1960 u zgjodh asistent i lëndës gjuha shqipe - në Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka ligjëruar në Fakultetin Filozofik të Shkupit dhe Beogradit në lëmin e gjuhës shqipe, të historisë së saj dhe të dialektologjisë shqiptare. Ka ligjëruar edhe në Shkallën e Tretë të studimeve në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Dr. L. Mulaku është bashkëpunëtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Përfaqësues i ASHAK në cilësinë e bashkëpunëtorit të hartimit të Atlasit të gjuhëve evropiane për pjesën e gjuhës shqipe. Është bashkëpunëtor i hartimit të ca fjalorëve serbokroatisht-shqip dhe i Fjalorit të fjalëve të huaja. Dr. Latif Mulaku është i pari që disertacionin e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (maj 1965).
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.