Kadri Kërçiku
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi në janar të vitit 1906 në Tiranë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Gjimnazin real e kreu në Freystad afër Linzit në Austri. Studimet i bëri në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Gracit ku diplomoi më 1933. Po aty edhe u specializua për Dermatologji dhe Venerologji. Si mjek specialist i kthye në atdhe në fund të vitit 1933 dhe u emërua mjek dermatolog-venerolog në ambulancat e Tiranës, Durrësit e Krujës, e më 1935 caktohet mjek në Repartin e Dermatologjisë në Spitalin Civil të Tiranës, vazhdoi të punonte me profesionalizëm. Më 1946 u arrestua dhe pas një viti u lirua nga hetimet. Me hapjen e Institutit të Lartë Mjekësor në Tiranë Dr. K. Kërçiku u emërua pedagog i dermatologjisë dhe këtu zhvilloi veprimtarinë shkencore. Më 1952 filloi të botonte artikuj shkencorë dhe krijoi Klinikën e Dermatologjisë dhe u caktua drejtor i kësaj Klinike, dhe Këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë në Tiranë. Më 1962 Dr. Kadri Kërçiku dha një vepër të rëndësishme me vlera shkencore me titull: “Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër në shekujt VIII-XX” për të cilën e mori gradën shkencore “Profesor”. Prof. Dr. Kadri Kërçiku i ka botuar disa tekste universitare të degës së Mjekësisë. Vdiq në Tiranë më 1972.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.