← Shfleto

Jusuf Vatoci

Doktor i shkencave të informatikës

Lindi në mars të vitit 1936 në Novolan të Vushtrrisë. Shkollën fillore e nisi në Vërnicë dhe e kreu në Vushtrri. Shkollën Normale dhe FSHMN-Dega e Fizikës i kreu në Prishtinë më 1977. Studimet pasuniversitare i bëri në Qendrën për Studime Postdiplomike të Zagrebit, ku edhe magjistroi në maj të vitit 1981 me temën: ”VEPRIMTARIA SHKENCORE E UNIVERSITETIT TË KOSOVËS GJATË DHJETË VJETËVE TË PUNËS - MAGJISTRAT DHE DOKTORËT E SHKENCËS NË KOSOVË”(kr). Mr. Jusuf Vatoci për shkak të luftës në Kroaci, e vazhdoi punën shkencore dhe doktoroi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës-Departamenti i Informatikës në Tiranë në korrik të vitit 1994 me temën: ”SINTEZA DHE PËRPUNIMI ME KOMPJUTER I MAGJISTRATURAVE DHE DOKTORATAVE TË KOSOVARËVE PREJ FILLIMIT 1945 E DERI NË FUND TË VITIT 1980”. Dr. Jusuf Vatoci së pari punoi si mësues, arsimtar e profesor i fizikës në Normale të Ferizajt dhe në Qendrën Teknike të Obiliqit. Më 1972 kaloi me punë në Shërbimet e Përbashkëta të Kombinatit “Kosova”- në Qendrën për Kibernetikë ku edhe specializua si organizator dhe programues në Multimedia të Zagrebit dhe në Entin e Ekspertizë Ekonomike të Beogradit. Punoi si Organizator i Sistemit në Entin e Informatikës që arriti deri te këshilltar i lartë për Informatikë në Institutin “Inkos “ të Obiliqit. Ka 2 tekste të përkthyera nga serbishtja në shqipe dhe një tekst “Kompjuteret dhe Programimi” për shkollat e mesme Teknike të botuar dhe të ribotuar. Ka të botuar temën e magjistraturës dhe të doktoratës si Leksikon, 2 monografi dhe 7 punime shkencore. Dhjetë vjet ka pasur Shkollën Private për Punë me kompjuter. Së fundit ka qenë ligjërues i Informatikës në SHLT të Mitrovicës dhe në Fakultetin e Edukimit të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.