Ismajl Gojani
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në dhjetor të vitit 1941 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. SHLT e kreu në Novi Sad, kurse shkallën e dytë të Fakultetit të Makinerisë e kreu në Beograd më 1970. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë në Zagreb ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1979 me temën: ”KONTRIBUT SINTEZËS DINAMIKE TË MAKINAVE”(kr). Mr. Ismajl Gojani doktoroi në Fakultetin Teknik-Dega Makinerisë - në Prishtinë në prill të vitit 1986 me temën: ”ANALIZA DINAMIKE E MODELIT TË PARAQITUR TË ZINXHIRIT KINETIK TË THJESHTËSUAR TË POZITËS SË NJERIUT ULUR”(sr). Dr. Ismajl Gojani punës ia filloi në “Metalik” të Gjakovës, si udhëheqës teknik, mandej kaloi në Fakultetin Teknik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i lëndës Mekanizmat, bëri specializimin në Suedi, Tiranë, Jashë, Sofje, dhe në Jenë. Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit të Makinerisë dhe themelues i Shoqatës së Ergonomisë në Kosovë. Ka të botuara 17 punime shkencore dhe 4 tekste universitare.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.