← Shfleto

Isak Shema

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1940 në Beguncë të Vitisë. Shkollën fillore e kreu në Viti e Kabash, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1964. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Beogradit, ku edhe magjistroi në prill të vitit 1968 me temën: ”PIKËPAMJET SOCIALE NË VEPRËN LETRARE TË STERIO SPASES”. Mr. Isak Shema doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në nëntor të vitit 1999 me temën:”JETA DHE VEPRIMTARIA LETRARE E JOSIP RELËS”. Dr. Isak Shema së pari punoi si mësues në Viti e Novobërdë, si profesor në Normalen e Ferizajt e më 1968 zgjidhet asistent në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës e më vonë edhe ligjërues i lëndës Letërsia e sotme shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Ka qenë shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe prodekan i këtij fakulteti. Ka të botuara 20 artikuj e studime, 3 tekste shkollore, 2 vepra dhe 4 botime të veçanta. Dr. Isak Shema ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume në vend dhe jashtë vendit me kumtesa.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.