← Shfleto

Ibrahim Rugova

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1944 në Cerrcë të Istogut (Burimit). Shkollën fillore e kreu në Istog, kurse të mesmen në Pejë. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Prishtinë më 1971. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Prishtinë. Prej aty shkoi në specializim të gjuhës në Paris. Pas specializimit doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në dhjetor të vitit 1984 me temën: ” KOHA DHE PREMISA TË KRITIKËS LETRARE – SHQIPTARE PREJ FILLIMIT E DERI MË SOT 1984” Dr. Ibrahim Rugova në fillim punoi si mësimdhënës në Obiliq, si redaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës “Bota e Re” në Prishtinë. Më 1972 kaloi me punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë dhe si redaktor – kryeredaktor i revistës “Gjurmime Albanologjike”, mandej kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në dhjetor të vitit 1989 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i LDK. Kjo parti e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist jugosllav. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës më 1992 mandej viti (2000) kryetar i Kosovës. Dr. I.Rugova është shpallur doktor Nderi në Universitetin VIII në Paris. Më 1995 iu dha Çmimi për Paqe në Danimarkë. Më 1998 Çmimi Saharov nga Parlamenti Evropian, më 1999 Çmimi i Qytetit Mynster - Gjermani dhe është shpallur qytetar nderi në disa qytete të Italisë dhe shumë qytete të tjera. Dr. I.Rugova ka të botuara më tepër se 10 libra, Aktualisht është kryetar i LDK dhe kryetar i Kosovës me zgjedhjet e lira. Më 1996 është zgjedhur anëtar korrespondent i ASHA të Kosovës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.