← Shfleto

Hilmi Vuthi

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në maj të vitit 1934 me prejardhje nga Plavë – Gucia. Shkollën fillore, teknikumin financiar dhe studimet e larta i bëri në Institutin e Lartë Ekonomik dhe diplomoi si specialist – ekonomist industrie më 1957 në Tiranë. Hilmiu më 1985 u bë kandidat i shkencave kurse më 1988 edhe doktor me temën e disertacionit: “MBI NOMINIMIN SHKENCOR TË REZERVAVE TË MALLIT NË TREGTI”. Dr. Hilmi Vuthi pas diplomimit punoi në Komisionin e Kontrollit të Shtetit të Tiranës, si inspektor në Sektorin e Industrisë së Minierave. Më 1970 kaloi në Fakultetin Ekonomik të Tiranës si pedagog i lëndës së ekonomisë dhe të Organizimit të Tregtisë. Më 1977 u emërua shef i Katedrës së tregtisë në Fakultetin Ekonomik. Dr. H. Vuthi ka qenë autor – bashkëautor i hartimit të dy fjalorëve enciklopedikë. Ka botuar tekste e monografi dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore në vend dhe jashtë. Dr. H. Vuthi mori urdhrin “N. Frashëri” kl. II.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.