← Shfleto

Hilmi Islami

Doktor i shkencave të mjekësisë

Lindi më 1952 në Besianë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (të Mjekësisë) e kreu në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1977. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Mjekësisë-Dega e farmakologjisë në Zagreb, ku edhe magjistroi në mars të vitit 1981 me temën: ”RËNDËSIA E SISTEMIT B-ta ADRENERGJIKË NË RREGULLIMIN E TONUSIT TË RRUGËVE TË FRYMËMARRJES”(kr). Mr. Hilmi Islami doktorua në Fakultetin e Mjekësisë në lëmin e farmakologjisë klinike në Prishtinë në janar të vitit 1984 me temën:”MEKANIZMI I INTERAKSIONIT TË SISTEMIT ALFA DHE BETA ADRENERGJIK NË RREGULLIMIN E TENSIONIT TË MUSKULATURËS SË LËMUAR TË RRUGËVE AJRORE”. Dr. Hilmi Islami së pari punoi si mjek e më 1981 u zgjodh drejtor i Institutit të Farmakologjisë të Prishtinës, njëherit edhe ligjërues i farmakologjisë me toksikologji në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës dhe arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në Fakultetin e Farmacisë në Prishtinë. Ka specializuar në Farmakologjinë Klinike në Angli. Ka të botuara 130 punime shkencore, 7 tekste universitare si autor-koautor, 2 tekste të përkthyera. Është anëtar i disa fabrikave të prodhimeve farmaceutike si Plivës, Bosna Ljek dhe Farmakos të Prizrenit.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.