← Shfleto

Hekuran Mara

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në gusht të vitit 1925 në Mborje të Korçës. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse të mesmet në Liceun e Korçës. Studimet i bëri në Fakultetin e Ekonomisë Politike në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, diplomoi më 1959. Aty arriti edhe kualifikimin pasuniversitar. Kandidat i Shkencave Ekonomike (konvertuar në doktor) në vitin 1960. Në vitin 1983 iu dha diploma “Doktor Nderi” në Universitetin e Parisit, kurse më 1972 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dr. Hekuran Mara është autor-bashkautor i shumë teksteve universitare dhe i monografive dhe i 61 punimesh shkencorë të botuar në vend dhe jashtë, 14 prej tyre të botuara jashtë vendit, si në: (Paris, Moskë, Gjenevë, Bari dhe në Vjenë). Është autor i 48 referateve të paraqitura në konferenca shkencore në vend dhe jashtë vendit. Dr. H. Mara ka qenë zv.kryetar i Komisionit të Lartë të Atestimit pranë këshillit të Ministrave, ka qenë anëtar i Komisionit të Shkencës dhe të Teknikës. Mban dekorata të “Kujtimit”, “Çlirimit” dhe të “Trimërisë”.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.